Amerikani fiton 8.5 milion dollarë në ‘World Series of Poker’

Lojtari profesionist i letrave Greg Merson, nga SHBA, ka fituar “World Series of Poker”, duke marrë plot 8.53 milion dollarë. Merson, 24 vjeç, mposhti kundërshtarët e tij finalë në një betejë që zgjati thuajse 12 orë dhe që u zhvillua në Las Vegas. “Ndjehem shumë mirë, të gjithë lotët më kanë dalë dhe tani jam i qetë,” tha djali nga Maryland. Sipas BBC, seritë “Texas hold’em” nisën në korrik të këtij viti dhe në lojë ishin 7 mijë lojtarë. Jesse Sylvia përfundoi në vend të dytë, duke fituar 5.3 milion dollarë. “Kjo ishte një çmenduri,” tha 26 vjeçari nga Las Vegas. Përpara shfaqjes finale, Merson dhe Sylvia eliminuan Jake Balsiger, duke i mohuar 21 vjeçarit nga Arizona mundësinë që të bëhej kampioni më i ri në moshë. Megjithatë ai u ‘ngushëllua’ me një çek prej 3.8 milion dollarësh.