Zgjohet nga koma, pak para se t'i hiqnin organet për dhurim

Një gabim i pabesueshëm mjekësor ka ndodhur në Danimarkë. Fatkeqja dhe njëherësh fatlumja është një vajzë daneze, 19 vjeç. Pas një aksidenti me makinë, 19-vjecarja Carina Melchior ra në gjendje kome dhe u shtrua në spitalin Aarhus në Danimarkë, ku mjekët e konsideruan “klinikisht të vdekur”. Pasi studiuan gjendjen e pacientes, mjekët bindën familjen e vajzës se nuk mund të bëjnë asgjë për ta kthyer në jetë dhe iu sugjeruan atyre të ofrohen për të dhuruar organet e saj. Në mes dhimbjes së madhe prindërit pranuan, duke menduar se nëpërmjet vdekjes së saj, vajza do të shpëtonte jetë të tjera. Në këtë çast ndodhi mrekullia. Ndërsa mjekët ishin duke u përgatitur për të hequr organet, 19-vjeçarja ia hapi sytë dhe tundi këmbët. Prindërit e vajzës të tmerruar nga ajo që mund të kishte ndodhur me miratimin e tyre, vendosën të padisin mjekët e spitalit dhe madje thonë se ka diçka të dyshimtë prapa vendimit për të dhuruar organet e vajzës. Sipas prindërve, vajza kishte vetëm 3 ditë në spital dhe mjekët nxituan t'i bindin ata se ajo nuk do mund të jetonte, ndaj çështjen do ta ndjekin në gjykatë. Duke iu referuar mjekëve, babai i tha gazetës daneze Ekstra Bladet: "Plaçkitësit me bluza të bardha e braktisën shumë shpejt pacientin e tyre, sepse donin një donator të organeve". Vajza pësoi aksidentin këtë muaj dhe aventura e saj fatkeqe u bë një dokumentar me titullin "Vajza që nuk donte të vdiste". Rasti ka shkaktuar debat publik në Danimarkë. Ministria e Shëndetësisë lëshoi udhëzime të reja për dhurimin e organeve. Mjekët në spitalin e Aarhus kërkuan falje dhe pranuan se kishin gabuar./BW